Takimi i pare i Rrjetit/ Programit të studentëve doktorantë NanoAlb
Njësia virtuale Shqiptare e Nanoshkencës dhe Teknologjisë- NanoAlb, e ngritur brenda Akademisë Shqiptare të Shkencave (ASHSH), krijon Rrjetin e Studenteve Doktorante-Quartz! Takimi i parë i këtij rrjeti u mbajt në 1 Korrik 2021! Tashmë 10 studentët e parë doktorantë shqiptarë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë bashkë për të shkëmbyer përvojën e tyre të kërkimit në fushat e nanoshkencës dhe nanoteknologjisë, mes vetes dhe me kërkuesit shkencorë, anëtarë të njësisë NanoAlb dhe atyre të mirënjohur në këto fusha. Një mundësi më shumë për kërkuesit tanë të rinj! Edhe pse i realizuar në largësi për shkak të gjendjes aktuale covid, ai ishte një takim frytdhënës, pasi u vendosën lidhjet e para midis studenteve pjesëmarrës dhe kërkuesve të njësisë NanoAlb. I mbushur me prezantimet e cdo anëtari mbi shkollimin interesat kërkimore dhe eksperiencat personale, takimi ishte një mundësi për t’u takuar dhe bashkëpunuar. Jemi besimplotë se energjia e të rinjve, dëshira dhe pasioni i tyre për kërkim, do të bëjnë të mundur që kjo iniciativë të rritet e mbledhë rreth saj kërkues të tjerë të rinj. Pas këtij takimi të bukur, drejt takimeve të tjerë në të ardhmen!